Deputetet kerkojne qe Kuvendi te kete rol qendror ne dialogun Kosove Serbi

06-10-2017 - Prishtine

Paralajmërimi për hyrjen në fazën e tretë dhe përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi  është duke u përcjellur me paqartësi edhe sa i përket përmbajtjes, por edhe formatit dhe akterëve që do të duheshin të jenë të përfshirë në këtë proces.

Se çfarë roli pritet dhe duhet të ketë Kuvendi tash e tutje në proces ishte temë diskutimi në tryezën që sot, KDI organizoi me pjesëmarrje të shefave të grupeve parlamentare të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesve të shoqërisë civile, akademisë dhe medias.

Duke iu referuar këtyre pikëpyetjeve, Jeta Krasniqi nga KDI në hapje të tryezës vlerësoi se KDI në vazhdimësi ka theksuar nevojën e diskutimit të gjerë politik dhe social ndërsa ka insistuar në një rol më aktiv të Kuvendit të Kosovës si dhe ka kërkuar një përfshirje të drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negocim dhe garantim të marrëveshjeve nga Bashkimi Evropian.

Sipas shefit të grupit parlamentar të AAK-së, z.Ahmet Isufi dialogu Kosovë-Serbi ka devijuar gjatë procesit, ndërsa Kuvendi nuk ka qenë i njoftuar dhe i përfshirë. Ai tha se Serbia nuk e ka përfillur agjendën e bisedimeve dhe ka zbatuar vetëm marrëveshjet të cilat ishin në interes të saj. Rreth së ardhmes së këtij procesi, z. Isufi vlerësoi se formati i bisedimeve duhet të ndryshoj, duhet të përpilohet një platformë paraprake përfshirë temat që janë në interest të Kosovës. Ndërsa shtoi se partia që ai përfaqëson ende nuk ka qëndrim rreth iniciativës për një ekip uniteti për ta udhëhequr këtë dialog ndërsa vlerësoi se roli i Kuvendit është tejet i rëndësishëm.

Z. Glauk Konjufca shef i grupit parlamentar të LVV-së vlerësoi se dialogu Kosovë-Serbi ka qenë një proces krejtësisht i njëanshëm qeveritar, me agjendë të mbyllur dhe të paqartë ku roli i Kuvendi është anashkaluar totalisht. Ai vlerësoi se Kosova nuk ka arritur të zgjidh asnjë problem me Serbinë, ndërsa shtoi se dialogu duhet ti kthehet Kuvendit duke u bërë epiqendra e ndërtimit të qëndrimit shtetëror të Kosovës rreth këtij procesi. z. Konjufca shtoi se nëse ka konsensus për shtrirjen e sovranititet në të gjithë vendin LVV është e gatshme të bashkohet por se ata janë kundër një dialogu që legjitimon situatën aktuale në terren.

Megjithë shpërfaqjen e ngecjeve në proces, z. Elmi Reçica zëvendës shef i grupit parlamentar i PDK-së vlerësoi se dialogu është i pa alternativë, duke vënë në pah nevojën për riformatim. Ai më tej shtoi se procesi duhet të zhvillohet mbi bazën e një konsensusi politik përderisa udhëhiqet nga Presidenti i vendit. Ajo shtoi se SHBA-të duhet të kenë rol udhëheqës në këtë proces dhe se dialogu duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Poashtu, z. Reçica theksoi se duhet shqyrtuar mundësia e përfshirjes edhe e çështjes së shqiptarëve të Luginës së Preshevës në këtë dialog.

z. Bilall Sherifi, shef i grupi parlamentar të NISMA-së vlerësoi se dialogu Kosovë-Serbi është duke cenuar edhe rendin kushtetues të Republikës se Kosovës, duke u shndërruar nga dialogu për normalizmi të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në një proces për normalizimin e Serbisë ne Kosovë. Lidhur me te ardhmen e dialogut, z. Sherifi theksoi se duhet të ketë një unifikim të qëndrimeve për platformën e bisedimeve dhe më pas të ketë unitet dhe të vendoset se kush do të udhëheq me këtë proces.

Albert Kinollishef i grupi parlamenar 6+ poashtu vlerësoi se mbështet dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar nevojën e mbikëqyrjes nga Kuvendi të këtij procesi. Ai vlerësoi se pas çdo raundi të bisedimeve, ekipi negociator duhet të raportojë para Kuvendit dhe komisioneve parlamentare. Z. Kinolli nënvizoi rëndësinë e krijimit të një grupi të unitetit për ta përmbyllur këtë proces, cili sipas tij do të sjell njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kjo tryezë u organizua në kuadër të projektit që synon fuqizimin e rolit mbikqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë si dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Ky projekt financohet nga Ambasada e Zvicrës.