KDI: Veseli paralajmëron se nga janari do të inicioj diskutime me gjithë spektrin politik lidhur me fazën e re të dialogut

22/12/2017 - Prishtine

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizoi sot tryezë diskutimi me in e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile, ambasadorë dhe medie, gjatë së cilës u diskutua për rolin që duhet ta ketë Kuvendi i Republikës së Kosovës në fazën e re të dialogut Kosovë-Serbi.

Në hapje të këtij diskutimi, drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, bëri një vlerësim të përgjithshëm të procesit të dialogut. Kryeziu theksoi se ky proces ka qenë jo transparent dhe se ka munguar koordinimi dhe konsesuesi i gjithë spektrit politk për këtë proces. Kurse lidhur me fazën e re të dialogut theksoi se Kuvendi duhet ta thotë fjalën e vetë me anën e një rezolute për përcaktimin e ekipit dialogues, formatit dhe afateve kohore të këtij procesi.

Kurse kryeparlamentari Veseli theksoi se dialogu që është zhvilluar më Serbinë ka qenë i domosdoshëm ngase ka qenë mënyra më e mirë për neutralizimi e strukturave paralele, mirëpo, mos uniteti i brendshëm si pasojë e mungesës së dialogut të brendshëm ka  qenë pengesë për arritjen e rezultateve në këtë proces. Më tutje, Veseli shtoi se dialogu me Serbinë është i paalternativë mirëpo në fazën e re duhet të ketë gjithëpërfshirje dhe konsensus lidhur me formatin, temat dhe  agjendën e Republikës së Kosovës.

Kryetari i Kuvendit Veseli gjithashtu vlerësoi se dialogu është mjeti i vetëm përmes se  cilit ne mund t’i zgjidhim çështjet e hapura me fqinjët tonë dhe se çdo shtet, cilido qoftë ai, nuk duhet të interferojë në marrëdhëniet e brendshme të Republikës së Kosovës. Në këtë kontekst, Veseli nënvizoi se Serbia nuk duhet të manipulojë me serbët e Kosovës, ngase ata kanë të gjitha të drejtat kushtetuese të cilat iu sigurojnë një jetë të mirë.

Lidhur me rolin që Kuvendi ka pasur dhe duhet ta ketë në këtë proces, Veseli shprehu pakënaqësinë e tij me mostransparencën e cila e ka karakterizuar procesin e dialogut deri në këtë fazë, si dhe kërkoi që në fazën e ardhshme Kuvendi të jetë i mirë informuar dhe qasja në informacion si dhe marrëveshjet që do të arrihen të jetë më e lehtë.

Në pyetjet se a duhet Kuvendi ta mbështesë presidentin e Republikës së Kosovës, i cili pritet që ta drejtojë fazën përfundimtare të dialogut dhe se a duhet të ketë një ekip më të gjerë negociues së bashku me një platformë të bisedimeve, i Veseli tha se bashkë me presidentin dhe kryeministrin e Republikës së Kosovës janë duke punuar në këtë drejtim, për krijimin e një platforme për fazën e re të bisedimeve, në të cilën do të garantohet gjithpërfshirja e spektrit politik, por edhe e shoqërisë civile dhe akademisë.

Veseli shtoi se ai personalisht do ta ndërmarrë një iniciativë qysh në janar të vitit të ardhshëm për t’i mbledhur të gjitha partitë parlamentare, pozitë dhe opozitë, në mënyrë që të ketë dakordancë dhe të krijohet një konsensus rreth procesit të dialogut para fillimit të fazës së re.

Ky diskutim u organizua në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në mes të KDI-së dhe Kuvendit që synon rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi si dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë, me financimin e Ambasadës së Zvicrës.