KDI iu bënë thirrje partive politike që të bashkërendojnë draft rezolutat e propozuara

REAGIM 01.11.2018


Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), po përcjellë zhvillimet në Kuvendin e Republikës së Kosovës lidhur me procesin e dialogut Kosovë – Serbi.

KDI ka analizuar të gjitha draft rezolutat e prezantuara deri më tani nga partitë në pushtet dhe ato në opozitë dhe vlerëson se përmbajtja e tyre përputhet në disa pika siç janë:

– kërkesat për respektim të integritetit territorial të Republikës së Kosovës,

– kërkesa për njohje nga Serbia dhe

– përcaktimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës si autoriteti përfundimtar që do të ratifikojë marrëveshjen e re potenciale me Serbinë.

Partitë politike duhet të bashkërendojnë këto kërkesa në një draft rezolutë të përbashkët. Republika e Kosovës nuk duhet të vazhdojë fazën finale të dialogut pa një qëndrim shtetëror të artikuluar në Kuvend, pa strategji dhe pa përcaktuar temat e diskutimit, vijat e kuqe, afatet kohore, pritshmëritë e palës kosovare në këtë proces dhe pa legjitimuar me anë të një rezolute ekipin udhëheqës të Kosovës në këto bisedime.

Partitë parlamentare duhet të rrisin përpjekjet e tyre për të ndërtuar konsensus politik dhe të artikulojnë qartazi qëndrimet e shtetit të Kosovës në këto bisedime. Kuvendi i Kosovës duhet të marrë përgjegjësi në këtë proces dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, si përfaqësues të vullnetit të popullit nuk mund të shmangen nga përgjegjësitë që lidhen me të ardhmen e procesit.

KDI iu bënë thirrje të gjitha partive politike në Kuvend që të angazhohen për këtë proces shtetëror duke luajtur një rol më konstruktiv dhe më të përgjegjshëm,  duke lënë mënjanë politikat ditore dhe kalkulimet politike.