Letër e hapur nga KDI për Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës

REAGIME 26.04.2019


I nderuari President i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi,

I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës z. Ramush Haradinaj,

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) përmes kësaj letre të hapur ju falënderon për bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe njëherit ju rikujton se pjesëmarrja juaj në takimin e Berlinit pa një qëndrim të dakorduar institucional mund të dëmtojë pozicionin e Republikës së Kosovës në raport me pjesëmarrësit e këtij takimi në veçanti, dhe në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi. Deklarimet e juaja publike gjatë muajve të fundit shpërfaqin dallime substanciale lidhur me fazën përfundimtare të dialogut dhe taksën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Duke ju përcjellë shqetësimin tonë lidhur me mungesën e një pozicioni të dakorduar institucional për çështjet që do të diskutohen në këtë takim, ne vlerësojmë që Kosova rrezikon të paraqitet si shtet jo serioz dhe pa vizion të qartë për rrugëtimin e mëtutjeshëm drejt integrimit evropian, ku normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përbën një element kyç të këtij procesi.

Samiti i Berlinit, në të cilin ju jeni ftuar t’a përfaqësoni Republikën e Kosovës në nivel të Presidentit dhe të Kryeministrit të vendit, paraqet një nga iniciativat më të rëndësishme për promovimin e bashkëpunimit rajonal në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si dhe garantimin e stabilitetit në këtë rajon. Duke qenë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë janë në fokus të angazhimit të BE-së, zhvillimet e fundit rreth fazës përfundimtare të dialogut Kosovë-Serbi pashmangshëm do të jenë pjesë e diskutimit në këtë Samit. Duke konsideruar se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi shihet si çështja e fundit e hapur në Ballkanin Perëndimor, pas zgjidhjes së çështjes së emrit mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, në kuadër të sferës së politikës së jashtme të BE-së, në këtë Samit, Kosova dhe Serbia do të inkurajohen që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

KDI, përmes kësaj letre të hapur publike, ju bën thirrje që si përfaqësuesit më të lartë të shtetit, në këtë Samit të prezantoni shtetin e Kosovës me një zë unik sa i përket procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe çështjeve që ndërlidhen me këtë proces. Një qasje e koordinuar institucionale që reflekton edhe vullnetin qytetar, do të ndikonte direkt në forcimin e pozitës negociuese të Kosovës në raport me Serbinë, si dhe do të përçonte mesazh të qartë tek shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se Kosova është duke trajtuar me përgjegjësi të gjitha obligimet ndërkombëtare.