A e dini se sa e ka realizuar Kuvendi planin e punës sa i përket monitorimit të zbatimit të ligjeve?

Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i institucioneve të saj e deri sot ka miratuar gjithsej 736 ligje ndërsa në fuqi janë 443 prej tyre. Pavarësisht numrit të madh të ligjeve të miratuara, zbatimi i tyre në praktikë vazhdon të cilësohet problematik dhe sfidë për institucionet e vendit. Komisionet parlamentare kanë për detyrë të mbikëqyrin zbatimin e ligjeve. Në bazë të Plan Programit të Kuvendit për vitin 2018, është paraparë monitorimi i 18 ligjeve nga komisionet parlamentare. Nga 14 komisione parlamentare, 8 prej tyre në planin e punës për sesionin pranveror të vitit 2018 kanë paraparë të monitorojnë zbatimin e ligjeve brenda fushëveprimit të tyre. Prej 11 ligjeve të parapara për mbikëqyrje nga komisionet përkatëse për sesionin pranveror është monitoruar vetëm 1 ligj, çka nënkupton se kanë mbetur edhe 10 ligje pa u monitoruar, e që do të duhej të monitoroheshin brenda këtij sesioni.

Komisioni që ka monitoruar ligjin e paraparë me planin e tyre të punës është:

Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale –  një ligj të monitoruar nga dy sa janë paraparë në planin e punës së këtij komisioni; Ligji i monitoruar është Ligji për shërbime sociale dhe familjare.

Nga 8 komisione, 7 prej tyre nuk kanë përfunduar procesin e mbikëqyrjes së zbatimit të asnjë ligji nga ato që i kanë paraparë në planin e tyre të punës. Këto komisione janë:  Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione; Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së; Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike; Komisioni për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim; Komisioni për Integrime Evropiane; Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi; Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor.

* Analiza lidhur me realizimin e planifikimeve të Kuvendit për monitorimin e zbatimit të ligjeve është bërë duke marrë për bazë Plan Programin e Kuvendit për vitin 2018. Këtu nuk janë përfshirë iniciativat e tjera që mund t'i kenë marrë në ndërkohë komisionet për monitorim të zbatimit të ligjeve e që nuk janë të përfshira në këtë plan program.

Ke gjetur një fakt?

Na dërgo faktin e gjetur nga të dhënat e platformës dhe ne do ta përgatisim atë sikurse faktet e tjera që t’a shpërndash me shoqëri!