Kuvendi

Legjislatura e parë e Kuvendit të Republikës së Kosovës është mbajtur në nëntor të viti 2001. Kuvendi ka tri funksione kryesore: Ligjvënës, që përfshinë hartimin e ligjeve dhe mbikëqyrjen e zbatimit të tyre. Mbikëqyrës, me mandat të kontrollit dhe mbikëqyrjes parlamentare ndaj punës së Qeverisë, përfshirë edhe institucionet tjera publike të cilat në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve i raportojnë Kuvendit.

Kontrolli dhe mbikëqyrja parlamentare  ndaj ekzekutivit bëhet përmes pyetjeve parlamentare, interpelancave, nëpërmjet shqyrtimit të raporteve të qeverisë mbi punën e tyre, duke ngritur komisione të posaçme për të organizuar vizita në terren me qëllim kontrollit në praktikë të masave të caktuara ndaj qeverisë, komisioneve hetimore, mocioneve të votëbesimit etj. Përfaqësues, kriteri themelor i një parlamenti demokratik është të jetë përfaqësues i popullit, që do të thotë të përfaqësoj vullnetin popullor të shprehur nga zgjedhësit në zgjedhje. 

Kuvendi është organ legjislativ i Republikës së Kosovës i zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli. Kuvendi përbëhet nga 120 deputetë të zgjedhur me votim të fshehtë. Vendet në Kuvend ndahen mes të gjitha partive, koalicioneve, nismave qytetare, kandidatëve të pavarur nëpërpjesëtim me numrin e votave të vlefshme. Në kuadër të kësaj njëzet vende janë të garantuara për komunitetet jo shumicë. Dhjetë prej tyre janë për komunitetin serb, ndërsa dhjetë tjerat për komunitetet tjera jo shumicë në Kosovë, romë, ashkalinjë, egjiptian, turq dhe goran.

 


Kompetencat

Kuvendi i Republikës së Kosovës mund të miratojë ligje, rezoluta dhe akte tjera të përgjithshme,  ratifikon traktatet ndërkombëtare, miraton Buxhetin e Republikës së Kosovës. Kuvendi zgjedhë dhe mund të shkarkojë Presidentin, zgjedhë qeverinë dhe mund të ngrit mocion besimi ndaj qeverisë. Kuvendi gjithashtu mbikëqyrë punën e Qeverisë dhe institucioneve tjera publike, zgjedh anëtarët e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, propozon gjyqtarët në Gjykatë Kushtetuese dhe mbikëqyrë politikën e jashtme dhe të sigurisë. Gjithashtu jep edhe pëlqimin për dekretin e Presidentit për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme.


Mandati

Kuvendi zgjedhet me mandate 4 vjeçar që fillon nga dita e seancës konstituive. Zgjedhjet e rregullta mbahen jo më shumë se 30 ditë pas përfundimit të mandatit, apo 45 ditë në raste të shpërndarjes së Kuvendit. Mandati i Kuvendit mund të vazhdohet vetëm në raste të Gjendjes së Jashtëzakonshme për aq sa zgjatë.


Mbledhjet e Kuvendit

Mbledhjet e Kuvendit të Kosovës janë publike. Mund të jenë të mbyllura më kërkesën e Presidentit, Kryeministrit apo 1/3 së deputetëve në rastet e përcaktuara me Rregulloren e Punës. Vendimi miratohet në mënyrë të hapur me 2/3 e votave të deputetëve të pranishëm. Kuvendi punimet vjetore i zhvillon në sesionin pranveror, nga e hëna e tretë e janarit dhe sesionin vjeshtor nga e hëna e dytë e shtatorit. Në seancë të jashtëzakonshme deputetët mblidhen me kërkesë të Presidentit, Kryeministrit apo 1/3 së deputetëve.

Çdo shtetas i Republikës së Kosovës mbi moshën 18 vjeçare që përmbush kriteret ligjore mund të kandidohet për deputet. Deputeti nuk mund të mbajë asnjë post tjetër në administratë publike ose ndërmarrje në pronësi publike. Deputetët gëzojnë imunitet nga ndjekja penale, paditë civile ose shkarkimi për veprimet dhe vendimet e tyre brenda fushëveprimit si deputetë të Kuvendit.


Komisionet e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e pestë ka katër komisione të përhershme, dhjetë komisione funksionale. Me kërkesë të 1/3 së deputetëve, Kuvendi mund të caktojë komision për një çështje të veçantë ose hetimore. Së paku një zëvendës-kryesues i secilit komision parlamentar duhet të jetë nga një komunitet tjetër nga ai i kryesuesit.


Procesi ligjvënës

Nismën për të propozuar ligje mund ta marrë Presidenti i Republikës së Kosovës nga fushëveprimtaria përkatëse, Qeveria, deputetët e Kuvendit ose së paku dhjetëmijë qytetarë. Miratimi i ligjeve në Kuvend bëhet me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm që votojnë, përveç në rastet kur me Kushtetutë përcaktohet ndryshe. Ligji i miratuar nga Kuvendi nënshkruhet nga Kryetari i Kuvendit dhe shpallet pasi ta nënshkruajë Presidenti. Presidenti ka të drejtë vetëm një herë ta kthejë ligjin në Kuvend dhe herën e dytë nëse nuk e nënshkruan ligjin shpallet në Gazetën Zyrtare, dhe bëhet i vlefshëm pesëmbëdhjetë ditë pas publikimit nëse me ligj nuk përcaktohet ndryshe.

Për miratimin, ndryshimin apo shfuqizimin e legjislacionit me interes vital kërkohet vota e shumicës se deputetëve të Kuvendit të cilët janë të pranishëm dhe votojnë, dhe shumica e deputetëve që janë të pranishëm dhe që votojnë nga përfaqësuesit që mbajnë vende të garantuara në Kuvend. Asnjë nga ligjet me interes vital nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.


Shpërndarja e Kuvendit

Kuvendi shpërndahet nëse brenda gjashtëdhjetë ditëve nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti nuk formohet Qeveria, dhe nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë 2/3 e të gjithë deputetëve. Shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës.

 

Programi i punës së Kuvendit për vitin 2015
Rregullorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës