Takimi i nivelit teknik në Bruksel

7-8 shtator
 
Sot dhe nesër në Bruksel do të mbahen takimet e nivelit teknik të Dialogut në mes të delegacionit të Kosovës dhe Serbisë. 
Temat që pritet të diskutohen janë energjia, targat e veturave dhe të pagjeturit. 
Për tri këto tema Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje. 
Për shkak që ka pasur sfida në zbatim, elemente të këtyre marrëveshjeve janë ridiskutuar disa herë. 
MARRËVESHJA E ENERGJISË
Është arritur me 8 shtator 2013 dhe deri më tani është zbatuar vetëm pjesërisht! Pjesë të kësaj marrëveshje janë:
-Kyçja e Kosovës në ENTSO-E në vitin 2020 – E zbatuar
-Licencimi i kompanisë serbe për faturim të energjisë në veri nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE): Kjo çështje fillimisht ka mbetur pezull për shkak që kompania serbe ka aplikuar në kundërshtim me legjislacionin e Kosovës , ndërsa më vonë për shkak se Bordi i ZRRE-së ende nuk është kompletuar dhe nuk ka të drejtë vendim-marrje. Sido që të jetë, edhe nëse kompania serbe arrin të liçencohet për faturim të energjisë ne veri, KOSTT do të vazhdojë të ketë sfida në shpërndarjen e energjisë, mirëmbajtjen e rrjetit dhe qasjen në këtë pjesë të vendit - E pazbatuar.
-Qasja e autoriteteve të Kosovës në nënstatcionin e energjisë në Vallaç në Zveçan – kjo nuk po arrin të zbatohet pasi që ky nënstacion ende kontrollohet nga Serbia - E pazbatuar
TARGAT E VETURAVE
Janë një nga elementet në kuadër të Marrëveshjes për lëvizjen e lirë e arritur në korrik të vitit 2011. 
Me këtë marrëveshje fillimisht është përcaktuar që të gjitha automjetet në Kosovë të përdorin vetëm targat RKS. Ndërsa targat KS ishin lejuar për përdorim në një afat 5 vjeçar.
Pas skadimit të këtij afati, Serbia kishte kërkuar rizgjatje të afatit edhe për 5 vite të tjera sepse marrveshja si e tillë nuk po zbatohej. Pasi edhe ky afat po skadonte, Ministria e Punëve të Brendshme në vitin 2020, me vendim kishte hequr nga përdorimi këto targa. Por Serbia po vazhdon të kërkojë që afati i përdorimit për targat KS të zgjatet sërish.  Sidoqoftë, në veri të vendit vazhdojnë të qarkullojnë vetura me targa ilegale (me akronime të qyteteve, PR, GL, MT etj). 
Në kuadër të rinegociimit të marrëveshjes në vitin 2016 palët poashtu ishin dakorduar që të mbuloheshin target shtetërore me shirita/stikera gjatë kalimit të veturave nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas - Kjo pikë ende nuk është zbatuar.  
TË PAGJETURIT 
Për këtë temë është arritur një marrëveshje në shtator të 2020 nga Qeveria Hoti në kuadër të diskutimeve për elementet e marrëveshjes finale gjithëpërfshirëse. 
Palët janë dakorduar vetëm për parimet mbi të cilat do të zgjidhet çështja e të pagjeturve. Kjo përfshin edhe krijimin e një komisioni të përbashkët të udhëhequr nga një i dërguar i posaçëm i BE-së.  
Mirëpo, përmbajtja e marrëveshjes ende nuk është publike. Qeveria Kurti në korrik të vitit 2021 ka kërkuar që kryesuesi i komisionit për të pagjeturit nga pala serbe, Velko Odaloviq nuk duhet të jetë pjesë e delegacionit të Serbisë në negociata. Kjo kërkesë është refuzuar nga pala serbe. - E pazbatuar.