Sondazhi i KDI-së shpërfaq pakënaqësitë e qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë me procesin e dialogut

Konferencë për Media

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot konferencë për media, në të cilën janë shpalosur rezultatet e hulumtimit të opinionit publik të realizuar gjatë periudhës nga 10 deri me 19 qershor të këtij viti, që reflekton këndvështrimet e qytetarëve në Kosovë dhe në Serbi rreth normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Violeta Haxholli nga KDI gjatë prezantimit të të dhënave, theksoi se sondazhi prej 8 pyetjeve për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë, ndërlidhet me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në përgjithësi, përfitimet nga dialogu mes dy vendeve, mungesën e progresit në këtë proces, zbatimin e marrëveshjeve të arritura, rolin e BE-së si lehtësuese e këtij procesi, marrëveshjen finale si dhe garantuesit dhe afatet e arritjes së marrëveshjeve.
Në pyetjen e parë drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë, lidhur me atë se sa ka arritur Dialogu që ti përmirësojë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Haxholli shpalosi se 49,3 % e të anketuarve në Kosovë dhe 56,5% e të anketuarve në Serbi janë të mendimit se marrëdhëniet Kosovë-Serbi kanë mbetur të njëjta pavarësisht procesit të dialogut mes dy vendeve.
Në pyetjen drejtuar qytetarëve të të dyja vendeve se kush mendojnë ata që po përfiton më shumë nga dialogu, partitë politike në Kosovë, partitë politike në Serbi apo qytetarët, 51,4% e të anketuarve në Kosovë janë përgjigjur se partitë politike në Serbi po përfitojnë më shumë nga dialogu. Në anën tjetër 30,4% e të anketuarve në Serbi janë shprehur se nuk e dinë kush po përfiton nga dialogu. Ndërsa vetëm 11% e të anketuarve në Kosovë janë shprehur se qytetarët e Kosovës po përfitojnë nga dialogu, me respektivisht 7,9% të të anketuarve në Serbi të cilët mendojnë që qytetarët e Serbisë po përfitojnë nga ky proces.
Lidhur me atë se kush mendojnë qytetarët se është përgjegjës për mungesën e progresit në dialog, Haxholli shpalosi të dhënat e këtij sondazhi të cilat shpërfaqin se 49,7% e të anketuarve në Kosovë mendojnë që Qeveria e Serbisë është përgjegjëse për mungesën e progresit në dialog. Ndërsa, 48,4% e të anketuarve në Serbi e fajësojnë BE-në për mungesën e progresit në dialog. Në anën tjetër, qytetarët serb të Kosovës, në përqindje prej 78,6% e shohin përgjegjëse qeverinë e Kosovës për mungesë të progresit në dialog.
Në pyetjen e radhës se sa janë të kënaqur qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë me rolin lehtësues të BE-së në procesin e dialogut mes dy vendeve, të anketuarit në të dyja vendet në përqindje 70,3% e të anketuarve në Kosovë dhe 75,4% e të anketuarve në Serbi janë shprehur të pakënaqur me rolin e BE-së si lehtësuese e këtij procesi.
Në këtë sondazh qytetarët e të dyja vendeve janë pyetur edhe lidhur me formatin e marrëveshjes finale në kuadër të procesit të dialogut, për të cilën 35,4% e të anketuarve në Kosovë janë shprehur se mund të arrihet një marrëveshje finale që përfshin njohjen reciproke. Ndërsa, 56,1% e të anketuarve në Serbi mendojnë se nuk do të arrihet fare një marrëveshje finale mes dy vendeve, mendim ky që e ndajnë 31,35 e të anketuarve në Kosovë. Ndërsa, në përqindje më të lartë të njëjtin mendim e kanë shprehur edhe 61,9% e qytetarëve serb të Kosovës.
Qytetarët janë pyetur edhe lidhur me garantuesit e marrëveshjeve të dialogut duke vendosur sanksione për palët që nuk i zbatojnë ato, ku ata kanë pasur mundësinë që të zgjedhin një ose më shumë garantues. Përgjigjet e dhëna kanë shpërfaqur dallimet mes këndvështrimeve të qytetarëve nga të dyja vendet. Lidhur me këtë, 49,7% e të anketuarve në Kosovës janë shprehur se SHBA-të duhet të jenë garantues të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa, 40,7% e të anketuarve në Serbi kanë vlerësuar se OKB-ja duhet të jetë garantues. Kurse, 72,5% e qytetarëve serb të Kosovës të anketuar e shohin BE-në si garantuese të marrëveshjeve të dialogut.
Në pyetjen e parafundit të kësaj sondazhi, lidhur me atë se si e shohin qytetarët e të dyja vendeve marrëveshjen e shumë përfolur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, 54,1% e të anketuarve në Kosovë janë të mendimit se kjo marrëveshje e cenon funksionimin e brendshëm të Kosovës. Në anën tjetër, 30,7% e të anketuarve në Serbi janë shprehur se kjo marrëveshje ofron më shumë të drejta për komunitetin serb në Kosovë. Përgjigje të ndryshme kanë shprehur qytetarët serb të Kosovës, ku 50% e të anketuarve të këtij komuniteti janë shprehur se nuk e dinë apo nuk janë përgjigjur fare lidhur me atë se çfarë ndikimi ka kjo marrëveshje në funksionimin e shtetit të Kosovës apo të drejtat e tyre.
Në pyetjen e fundit të kësaj sondazhi lidhur me afatet e arritjes së një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë, Haxholli theksoi se përqindja më e lartë e të anketuarve në Kosovë e shpërfaqur në këtë sondazh prej 31,2% mendojnë se një marrëveshje finale mund të arrihet pas 5 viteve. Ndërsa, Në 49,6% e të anketuarve në Serbi tyre janë të mendimit se një marrëveshje finale mund të mos arrihet asnjëherë. Mesatarisht vetëm 2,2% e të anketuarve në Kosovë dhe në Serbi presin që të arrihet një marrëveshje finale gjatë këtij viti.
Hulumtimin e plotë mund ta gjeni këtu:https://kdi-kosova.org/.../KDI_Publikimi-i-sondazhit...
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të projektit “Shoqëritë civile në Kosovë dhe Serbi promovojnë një proces pajtimi pjesëmarrës dhe kuptimplotë”, i përkrahur nga Ministria Italiane e Jashtme dhe për Bashkëpunim Ndërkombëtar