Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), është organizatë joqeveritare e themeluar në vitin 2005. Misioni i organizatës është të mbështesë demokratizimin e institucioneve shtetërore, duke rritur rolin e qytetarëve në vendimmarrje dhe duke fuqizuar sektorin joqeveritar me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve shtetërore. KDI-ja, misionin e saj e realizon përmes disa programeve: Programi për Kuvendin, Programi Anti-Korrupsion, Programi për Qeverisje Lokale, Programi për Zgjedhjet dhe Programi për Fuqizimin e Rolit të Gruas.
Në dhjetë vitet e fundit, KDI ka përcjellë dhe vlerësuar në vazhdimësi punën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si organi më i lartë përfaqësues dhe ligjvënës në vend dhe ka bërë informimin e publikut mbi çështjet parlamentare.
Programi i Demokratizimit dhe Praktikave Parlamentare (DPP) synon të nxisë Kuvendin e Kosovës të jetë më i hapur, më përfaqësues dhe gjithëpërfshirës sepse një institucion ligjvënës efikas është shtylla kryesore e qeverisjes demokratike. DPP vazhdon të shërbejë si urë lidhëse në mes të Kuvendit dhe qytetarëve, duke nxitur dialogun konstruktiv në mes tyre, si dhe të promovojë fuqizimin e votuesit për të mbajtur zyrtarët e zgjedhur të përgjegjshëm dhe llogaridhënës. Monitorimi i Kuvendin ka për qëllim për t’u siguruar që ky institucion reflekton interesin publik në ligje dhe politika, përmbush obligimet e tij kushtetuese dhe respekton rregullat dhe procedurat e veta, promovon përgjegjësi dhe transparencë, mbikëqyrë punën e ekzekutivit dhe i përmbahet standardeve universale të qeverisjes së mirë.
Krijimi i platformës “Vota Ime” është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO‐K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)”. Qëllimi i këtij projekti ka qenë që përmes monitorimit të Kuvendit të ofroj një praktikë të re të komunikimit ndërmjet qytetarëve dhe deputetëve, të avancojë llogaridhënien parlamentare, përfaqësimin dhe transparencën e të zgjedhurve ndaj zgjedhësve, të gjitha këto duke shfrytëzuar edhe teknologjinë informative, përkatësisht përmes lansimit të një praktike të re të komunikimit të ndërsjellë që mundëson platforma interaktive “Vota Ime”.
Pas përfundimit të këtij projekti, KDI ka filluar zbatimin e një projekt të ri të titulluar “Rritja e pjesëmarrjes, transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë”, i cili financohet nga Fondi për Demokraci i Kombeve të Bashkuara (UNDEF). Ky projekt do të implementohet në partneritet me 11 OJQ lokale nga 11 komuna të Kosovës. Me anë të këtij projekti, KDI synon që të rrisë llogaridhënien dhe transparencën parlamentare nëpërmjet promovimit të monitorimit nga qytetarët dhe pjesëmarrjes në politikë-bërje me mjete inovative të teknologjisë përkatësisht platformën Vota Ime dhe informimit dhe me një mekanizëm të ri të dialogut qytetarë – deputetë.
KDI nëpërmjet këtij projekti do të krijojë një qasje tjetër të monitorimit duke përfshirë qytetarët, shoqërinë civile, studentët dhe grupe të tjera të interesit direkt në monitorim duke përdoruar përparësitë e mjeteve të teknologjisë dhe informimit. Projekti synon që të sigurojë qëndrueshmëri në monitorimin e punës së Kuvendit nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të studentëve, OJQ-ve në nivel lokal dhe komunitetin e aktivistëve që të monitorojnë punën e Kuvendit dhe të përcjellin implementimin e rekomandimeve të dhëna nga vet ata. Nëpërmjet përfshirjes aktive të qytetarëve në monitorimin parlamentar synohet që Kuvendi i Kosovës dhe deputetët të avancojnë llogaridhënien parlamentare, të rrisin përfaqësimin dhe transparencën.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës ka filluar implementimin e projektit të titullluar "Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare të ekzekutivit dhe rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në dialogun Kosovë-Serbi", i cili synon të fuqizoj mbikqyrjen e Kuvendit ndaj Qeverisë dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në kuadër të kësaj iniciative, me 07 Korrik 2016, KDI ka nënshkruar Memorandum të Mirëkuptimit me Kuvendin e Republikës së Kosovës, në të cilin përcaktohen synimet e përgjithshme të këtij bashkëpunimi si dhe aktivitetet që synohen të organizohen në përkrahje të deputetëve, grupeve parlamentare si dhe komisioneve parlamentare për të rritur transparencën, gjithëpërfshirjen, qeverisjes demokratike, llogaridhënien dhe komunikimin me qytetarët në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, në përputhje të plotë me mandatin dhe obligimet e deputetëve të Republikës së Kosovës. Qëllimi parësor i projektit është të bëjë më efektive mbikqyrjen parlamentar të ekzekutivit, për të përmirësuar komunikimin bilateral në mes Kuvendit dhe Qeverisë për të garantuar një proces më gjithpërfshirës dhe pjesëmarrës, për të ngritur pjesëmarrjen e qytetarëve dhe komunikimin publik rreth çështjeve që kanë të bëjnë me dialogun Kosovë-Serbi.
KDI do të ofrojë ekspertizë, do të mbështesë, lehtësojë dhe organizojë dëgjime publike, hulumtime, anketime, takime e vizita në terren në mes të qytetarëve dhe anëtarëve të Kuvendit dhe ekzekutivit për të diskutuar temat, sfidat dhe marrëveshjet që dalin nga procesi i dialogut Kosovë-Serbi, gjithashtu dhe do të ofrojë eksperitë të ardhur nga Kuvendi i Zvicrës, në kuadër të synimeve të përcaktuara përmes këtij projekti.