Qytetarët e Kosovës për angazhimet e Qeverisë në raport me dialogun Kosovë-Serbi: Të painformuar, të pakënaqur dhe të painteresuar

30/09/2016

U publikua sot raporti që vë në pah “Transparencën e dialogut Kosovë -Serbi nga këndvështrimi i qytetarëve”. Ky hulumtim trajton njohuritë e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës rreth marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nivelin e kënaqshmërisë së  tyre me punën e deputetëve në mbikqyrjen e Qeverisë në procesin e dialogut, kënaqshmërinë  e qytetarëve në  përfshirjen e tyre në këtë proces, dhe  gatishmërinë për të kontribuar për temat e dialogut si dhe akterët kryesorë që  mbajnë  përgjegjës për informimin e tyre.

Përkundër faktit që disa tema të dialogut kanë dominuar skenën politike në vend sidomos vitin e fundit, të gjeturat e këtij hulumtimi të opinionit vërtetojnë që qytetarët e Kosovës në shkallë të lartë, praktikisht janë të painformuar rreth marrëveshjeve (43%) të cilat janë arritur deri tani në kuadër të procesit të dialogut Kosovë - Serbi. Rreth 76% të tyre janë të pakënaqur me mbikëqyrjen që Kuvendi përgjithësisht ushtron ndaj Qeverisë në këtë proces. Për më tepër ata janë të pakënaqur me nivelin e përfshirjes së tyre (75%) ndërsa shprehin hezitim për t’u përfshirë në të ardhmen në këtë proces (57%). Në bazë të këtij sondazhi, në përgjithësi qytetarët presin të informohen më shumë në rradhë të parë nga Qeveria dhe më pas nga Kuvendi i Kosovës.

KDI vlerëson se Qeveria dhe Kuvendi si bartëse të këtij procesi duhet të  ndërmarrin një  sërë  masash për të  rritur transparencën, për të  shtuar llogaridhënien institucionale ndaj qytetarëve, për të  ndërtuar  konsensus shoqëror dhe politik për procesin e dialogut, për të  garantuar  pjesëmarrjen e qytetarëve në  këtë  proces duke artikuluar qartë efektet praktike që  ky proces sjell në  jetën e qytetarëve.

Ky raport është realizuar në kuadër të projektit “Forcimi i mbikëqyrjes parlamentare të ekzekutivit dhe rritjes së pjesëmarrjes së qytetarëve në dialogun Kosovë – Serbi”, financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Sondazhi i plote ne: http://votaime.org/Public/Article?PollDialog=true&PollDialog=false&SelectedTab=Polls&PollSelectedMonthID=&PollSelectedYear=#polls