11/05/2018
11/05/2018- Prishtinë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezën “Cila është e ardhmja e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, pjesë e së cilës ishte Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministër i Kosovës, dhe Cedomir Jovanoviq, i Partisë Liberal demokratike (LDP) të Serbisë, të cilët diskutuan me përfaqësues të partive politike, shoqërisë civile dhe medies, rreth së ardhmes së këtij procesi.
Në hapje të kësaj tryeze, drejtori ekzekutiv i KDI, Ismet Kryeziu ka theksuar se procesi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka filluar që një kohë të gjatë dhe se tani është duke shkuar drejt mbylljes. Ai ka shtuar se procesi ka pasur vështirësitë e veta si mungesa e transparencës, si dhe ka prodhuar efekte të cilat nuk kanë qenë çdo herë pozitive, siç është mungesa e zbatimit të marrëveshjeve.
Ndërkaq, Cedomir Jovanoviq ka thënë duhet të punohet për t’i përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve por jo të insistohet që një gjë e tillë të ndodhë me shpejtësi. Ai ka theksuar se sa i përket procesit të dialogut, kohëve të fundit ka ndryshuar retorika e Beogradit. “Unë shoh se është ndryshuar retorika dhe për Vuçiq tani nuk është problem që të thotë se ka biseduar me Thaçin dhe të lëshojë topin e krizës në Mitrovicë. Unë nuk besoj në marrëdhëniet që qëndrojnë të lidhura me individët. Kjo është një kërcënim për Kosovën”, ka shtuar Jovanovi?.
Tutje, Jovanoviq ka potencuar se është kundër ndonjë marrëveshje që do të nënkuptonte ndarje të brendshme në shoqërinë kosovare. Ai ka thënë se e mban këtë qëndrim ngase e di “cilat mund të jenë pasojat”.
Kur ka folur për epliogun e këtij procesi, Jovanoviq ka theksuar ndër të tjera se atë që e dëshiron Begradi nuk e thotë sepse e di që është e pamundur. Sipas tij, Serbia do të dëshironte veriun në këmbin të njohjes së pavarësisë së Kosovës.
Kurse zëvendës kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se duhet të ketë limite të qarta kohore lidhur me fillimin dhe mbarimin e procesit të dialogut. Ai ka shtuar se Kosova ka parime se si duhet të duket faza e fundit e dialogut dhe ka pritje rreth asaj se çka do të sjellë epilogu. “Deri më tash janë arritur shumë marrëveshje por janë zbatuar me shpejtësi shumë të vogël”, plotësoi ai.
Më tutje Hoxhaj ka shtuar se problemi mes Kosovës dhe Serbisë asnjëherë nuk ka qenë njohja e ndërsjellë e diplomave apo dokumenteve të udhëtimit, por mendimi dhe qëndrimin hegjemonik serb mbi Kosovën, të cilat e kanë penguar zgjidhjen e problemit me Serbinë.
Anëtarësimin e Kosovës në OKB, Hoxhaj ka thënë se nuk e ka në dorë Vuçiqi por të tjerët.
“Por të mendohet që Serbia të jetë garanci që Kosova të anëtarësohet në OKB siç po flet presidenti Vuçiq, kjo nuk është letër që Vuciqi e ka në dorë, këtë letër e kanë në dorë të tjerët. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën”, ka thënë ai.
Ndërsa lidhur me të ardhmen e dialogut, Hoxhaj ka nënvizuar se çështja e vetme e hapur që Kosova ka me Serbinë, është njohja e ndërsjellë. “Njohja e ndërsjellë nuk do të jetë e lehtë por është e nevojshme dhe domosdoshme”, ka përfunduar Hoxhaj.
Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.