26/02/2019
KONFERENCA PËR MEDIA 26.02.2019
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur dy skenarë, duke përfshirë efektet e tyre pozitive dhe negative në rast të mbajtjes apo pezullimit të taksës prej 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.
Gjatë konferencës për media, në të cilën u shpalos punimi, Jeta Krasniqi nga KDI, ka thënë se kjo analizë tenton t’i japë publikut një pasqyrë më të gjerë të efekteve që “pezullimi” apo “mbajtja” e taksës do të prodhonte në disa dimensione, së pari në vetë procesin e dialogut Kosovë-Serbi, pastaj në marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, në zhvillimet e brendshme politike në vend, në ekonomi dhe përfundimisht në përcepsionin qytetarë.
Eugen Cakolli nga KDI, gjatë prezantimit të skenarit të parë, theksoi se mbajtja e taksës prej 100% shpërfaqi marrëdhëniet reale midis Kosovës dhe Serbisë dhe faktin sa larg janë palët nga normalizimi, përderisa efektet kryesore pozitive ishin ushtrimi i sovranitetit shtetëror të Kosovës në raport me Serbinë, kthimi i vëmendjes tek niveli i zbatimit të marrëveshjeve të dialogut dhe mundësia e Kosovës për të imponuar tema relevante në dialog. Si efekt negativ u përmend kushtëzimi i Serbisë për të vazhduar me dialogun dhe rrjedhimisht fuqizimin i pozitës së saj në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
“Në lidhje me raportet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, si faktor pozitiv u evidentua të jetë rritja e nivelit të përfshirjes së SHBA-ve në procesin e dialogut, ndërsa si efekt negativ u tha të jetë lëkundja e mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës, e cila është manifestuar nëpërmjet masave dhe veprimeve të ndryshme ndëshkuese”, ka thënë ai.
Cakolli, duke folur për ndikimet në aspektin e brendshëm politik, argumentoi se efekt pozitiv është konsideruar nxitja e debatit për nevojën e një konsensusi shtetëror dhe krijimin i hapësirës kohore për ndërtimin e qëndrimit zyrtar të Kosovës lidhur me procesin e dialogut. Ndërsa efektet negative i atribuohen polarizimit midis institucionit të Presidentit, Qeverisë, partnerëve të koalicionit qeverisës dhe subjekteve tjera politike, si dhe tkurrja e politikës së jashtme të Kosovës vetëm lidhur me çështjet e taksës dhe dialogut.
“Në aspektin ekonomik, efekti kryesor pozitiv vlerësohet të jetë rritja e konsumit të produkteve vendore, ndërsa si efekte negative u listuan rritja e çmimeve të produkteve të caktuara dhe kontrabandës. Rritja e dinjitetit shtetëror u vlerësua të jetë ndikim pozitiv tek qytetarët lidhur me mbajtjen e taksës prej 100%, ndërsa rritja e shqetësimit qytetar për humbjen e përkrahjes nga partnerët ndërkombëtarë u cilësua si një nga efektet kryesore negative në skenarin e mbajtjes së taksës”, plotësoi tutje ai.
Në skenarin e dytë “ pezullimi i taksës prej 100%”, për dallim nga skenari i parë ku efektet pozitive janë dukshëm më të theksuara në planin politik të brendshëm në Kosovë, efektet pozitive do të shiheshin në në sferën e marrëdhënieve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.
Sipas Jeta Krasniqit, efekti kryesor pozitiv i pezullimit të taksës do të ishte vazhdimi i dialogut dhe forcimi i pozitës negociuese në raport me Serbinë, gjithsesi efektet negativ do të ishte vazhdimi i dialogut pa një qëndrim unik të spektrit politik në Kosovës si dhe rreziku i arritjes së një marrëveshje që mund të paraqesë kompromis të pafavorshëm për Kosovën.
Ajo ka shtuar se në planin e jashtëm, pezullimi i taksës do të përmirësojë raportet në mes të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, kurse si efekt negativ u vlerësua presioni që partnerët ndërkombëtarë do të mund të ushtronin për arritjen e një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë brenda një afati kohor artificial, duke mos i kushtuar vëmendje përmbajtjes së marrëveshjes përfundimtare.
“Mundësia për unifikim të qëndrimit nga spektri politik dhe institucionet, artikulimi i kërkesave të qarta të Kosovës ndaj partnerëve ndërkombëtarë për garancitë që duhet të ofrohen në kuadër të dialogut, u thanë të jenë efektet kryesore pozitive. Kurse, si efekt negativ u vlerësua të jetë përçarja e spektrit politik lidhur me qasjen që Kosova duhet të ketë ndaj Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Në planin ekonomik, pezullimi i taksës do të prodhonte efekt pozitiv në rritjen e të hyrave doganore ndërsa do të ulte nivelin e konsumit të prodhimeve vendore”, plotësoi ajo.
Qytetarët do të mirëprisnin ruajtjen e raporteve të mira me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me SHBA-të. Në anën tjetër, pezullimi i takës do të ndikonte në rënien e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës.
Këta skenarë janë realizuar duke marrë parasysh faktin që deri më tani, përkundër qëndrimeve dhe diskursit politik aktual, janë dhënë pak argumente mbi përparësitë dhe mangësitë e opsionit të mbajtjes së taksës prej 100%, dhe opsionit për pezullimin e saj.
Raportin e plotë mund ta shkarkoni këtu.