08/05/2019
TRYEZA 08.05.2019
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka mbajtur sot tryezën e diskutimit “Dialogu Kosovë-Serbi pas Samitit të Berlinit”, një diskutim mes Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, me përfaqësuesit e shoqërisë civile, medias dhe korit diplomatik në Kosovë.
Në hapjen e tryezës, Ismet Kryeziu, drejtor ekzekutiv i KDI-së, ngriti shqetësimin lidhur me mungesën e qëndrimit të unifikuar të institucioneve të Kosovës në Samitin e Berlinit, pritshmëritë e palës kosovare nga ky takim, rolin e Gjermanisë, Francës dhe SHBA-ve në fazën përmbyllëse të dialogut dhe asaj që pritet të ndodhë në takimin e Parisit. Ai po ashtu ngriti pyetje lidhur me qëndrimin e kryeministrit ndaj temave që ndërlidhen me dialogun, rolit të tij, të partive opozitare dhe të Delegacionit Shtetëror në këtë proces, si dhe efekteve potenciale të arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet, në fjalën e tij hyrëse rikonfirmoi mbështetjen e Zvicrës për arritjen e një marrëveshje përfundimtare mes palëve, dhe njëherit përshëndeti iniciativat e Gjermanisë dhe Francës për zhvillimin e samiteve në nivel rajonal. Ai ka përsëritur se ndryshimi i kufijve nuk është zgjidhje dhe se palët nuk duhet të sforcohen në arritjen e marrëveshjes. Ai bëri thirrje për një proces gjithëpërfshirës dhe transparent, fokusi i të cilit duhet të jetë në zbatimin dhe jo vetëm arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, fillimisht vlerësoi se në samitin e Berlinit është mbyllur çështja e kufijve, meqenëse kjo ide, sipas tij, do të sillte jo stabilitet në rajon. “Kosovën e 17 shkurtit të vitit 2008 e ka mbyllur vendimi i GJND-së. Kosova nuk guxon t’a hapë më këtë temë”, ka shtuar ai.
Më tutje, sa i përket takimit të radhës në Paris, kryeministri Haradinaj theksoi rëndësinë e bashkërendimit dhe gjithëpërfshirjes së spektrit kosovar në takim. Ai edhe publikisht ftoi dy partitë më të mëdha opozitare t’i bashkohen grupit përfaqësues në Paris, qoftë edhe vetëm në cilësinë e vëzhguesve. “Duhet të jemi unik në përfaqësim. Në takimin e Parisit duhet të ftohen bashkëkryesuesit e Delegacionit Shtetëror, dhe nga një përfaqësues nga partitë opozitare”.
Kryeministri po ashtu përsëriti qëndrimin e tij se taksa prej 100%, e vendosur ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, nuk do të hiqet, përkundër presioneve të vazhdueshme. “Nëse ka vullnet për marrëveshje politike, duhet të kthehemi në tavolinë. Nëse jo, atëherë presim. […] Ata që mendojnë që me presion mund t’a heqim taksën janë gabim” shtoi ai ndër të tjera.
Pjesëmarrësit e pranishëm në këtë tryezë ngritën çështje që lidhen me zhvillimet e brendshme politike në Kosovë, përfshirjen e serbëve të Kosovës në dialogun me Serbinë, qëndrimin e vendeve të Kuintit lidhur me çështjen e kufijve, qëndrimin e unifikuar të palës kosovare në takimin e radhës në Paris, opsionet lidhur me taksën, rolin e Gjermanisë, Francës dhe SHBA-ve në procesin e dialogut, si dhe hapat për përfshirjen e spektrit opozitar në këtë proces.
Shih videon e plotë të tryezës këtu.
Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Ambasada Zvicerane në Prishtinë.