Takimi i pestë koordinues në mes komisioneve parlamentare

Takim- Prishtinë

Me mbështetjen e KDI-së sot është zhvilluar takimi i pestë koordinues, i pari në legjislaturen e re i komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Ky takim kishte për synim ofrimin e një platforme diskutimi dhe bashkërendimi në mes të komisioneve parlamentare për ushtrimin e rolit mbikëqyrës ndaj dialogut, me qëllim edhe të avancimit të transparencës së këtij procesi, duke u bazuar në rezolutat paraprake të Kuvendit për këtë çështje.

Duke pasur parasysh rëndësinë e madhe që ka procesi i dialogut, ata kërkuan përkrahje edhe më e shtuar me qëllim të mbajtjes së ekzekutivit transparent dhe llogaridhënës. Në këtë drejtim, ata deklaruan që duhet të shikohen mundësitë e bashkëpunimit më të ngushtë mes krerëve të komisioneve dhe Kryeministrit të vendit në çështje që ndërlidhen me zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, por edhe marrëveshjes përfundimtare që eventualisht mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Përfaqësuesit e komisioneve shprehën gjithashtu përkushtimin e tyre për përfshirjen në planet përkatëse të punës, veprime mbikëqyrëse lidhur me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut.

KDI do të vazhdojë të ofrojë asistencë dhe ekspertizë për Kuvendin e Kosovës, duke përfshirë komisionet parlamentare, grupet parlamentare dhe deputetët, për ushtrimin sa më efektiv të rolit të tyre mbikëqyrës karshi dialogut Kosovë-Serbi, nëpërmjet mekanizmave të paraparë parlamentar.

Ky diskutim u organizua në kuadër të projektit “Perspektiva Evropiane – Ndërtimi i konsensusit kombëtar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë” që përkrahet nga Embassy of Switzerland in Kosovo