16/09/2020
TRYEZA 16.09.2020
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në kuadër të “Platformës së shoqërisë civile për dialogun” ka mbajtur diskutim me Kryeministrin e Kosovës z. Avdullah Hoti dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe të medias.
Në hapjen e tryezës, Jeta Krasniqi, menaxhere e projektit në KDI, bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit lidhur me procesin e normalizimit të marrëdhënieve duke theksuar që mbeten ende shumë pikëpyetje rreth tij. Ajo shtoi se mungesa e konsensusit politik në vend po vazhdon të shoqërojë procesin e dialogut me Serbinë ndërsa mungesa e transparencës mbetet problematikë e cila duhet adresuar. Gjithashtu ajo ngriti çështjen e zbatimit të marrëveshjes së Uashingtonit si dhe procesin e ndërmjetësuar nga BE.
Leonora Kryeziu, drejtoreshë ekzekutive e PIPS, prezantoi “Platformën e Shoqërisë Civile për Dialog” ku tha se kjo platformë erdhi si nevojë për ta freskuar procesin e rinisur të dialogut, duke e përafruar qytetarin me zhvillimet në dialog. Ajo shtoi se platforma është themeluar si një iniciativë e përbashkët e organizatave dhe pjesëtarëve të shoqërisë civile të profileve të ndryshme, duke përfshirë dhe aspektin etnik. Ndërsa si synim ndër të tjera ka promovimin e transparencës, gjithpërfshirjes dhe llogaridhënies së institucioneve përgjegjëse për procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Kryeziu, ndër të tjera tha se “dallimet në demokraci mund të jenë të frytshme, por jo antagonizmat e përhershëm” duke i bërë thirrje Kryeministrit të shfrytëzoi mundësitë dhe ekspertizën që kjo platformë ofron.
Në adresimin e tij, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, prezantoi parimet dhe objektivat e Qeverisë lidhur me procesin e dialogut me Serbinë. Lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit ai tregoi hapat deri tek arritja e kësaj marrëveshje. Ai njoftoi që Qeveria ka filluar përgatitjet për zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit dhe në ditët në vijim do të përgatiten edhe planet për obligimet e Ministrive përkatëse për zbatimin e kësaj marrëveshje. Ndërsa lidhur me takimet në Bruksel, kryeministri deklaroi që deri më tani janë diskutuar tema e të pagjeturve, zhvillimi ekonomik, tema e të zhvendosurve, çështjet e pronës dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe. Ai theksoi se pret që një marrëveshje finale me Serbinë mund të përmbyllet brenda muajve ose një viti. “Ajo që po bëjmë është se po diskutojmë për elementet e marrëveshjes finale, në përputhje me konventat ndërkombëtare. Nuk jemi duke arritur një marrëveshje parciale por marrëveshje finale për njohje reciproke.” – theksoi Kryeministri Hoti.
Qëllimi i këtij procesi sipas tij është vetëm njohja reciproke dhe me Serbinë do të dakordohen për të gjitha çështjet ose nuk do të ketë fare dakordim. Ai u zotua se marrëveshja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk do të rihapet, ndërsa zbatimi i saj do të bëhet vetëm pas njohjes reciproke dhe vetëm në përputhje me Kushtetutën. Kryeministri Hoti shtoi se metodologjia e negociatave është ndërtuar në format të tillë që secila palë propozon temat e diskutimit. Ai tha se çështja që do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel janë obligimet financiare në mes të dy vendeve, ku përfshihen çështja e pensioneve, suksesioni i pasurisë së ish-Jugosllavisë, borxhi publik i ish-Jugosllavisë, dëmet e luftës dhe një sërë çështjesh të tjera brenda kësaj kategorie. Ndërkaq u shpreh se në takimin e nesërm nuk do të diskutohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Pjesëmarrësit e pranishëm nga shoqëria civile në këtë tryezë, ngritën çështjen e transparencës në dialog, hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Ujmanin, kishën ortodokse, mini-shengenin, dhe strategjinë e Kosovës në rast se nuk arrihet një marrëveshje finale me Serbinë. Kryeministri Hoti u zotua për transparencë të plotë ndaj Kuvendit, shoqërisë civile dhe publikut të gjerë dhe bëri thirrje publike për organizatat e shoqërisë civile për tu bërë pjesë e ekipeve të ekspertëve të Qeverisë mbi çështjen e dialogun.
Ky diskutim organizohet në kuadër të projektit “Promovimi i një procesi të mirë informuar dhe pjesëmarrës në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi” i mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada Gjermane në Kosovë.