Barrierat tregtare Kosovë-Serbi: diskutim publik në mes të Kuvendit, Qeverisë, Odave ekonomike e shoqërisë civile

Diskutim: 
Me mbështetjen e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), sot në hapësirat e Kuvendit të Kosovës,  Komisioni parlamentar për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, mbajti diskutimin publik mbi “Barrierat tregtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”. Në këtë diskutim ishin të pranishëm anëtarët e komisionit parlamentar, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari, Drejtori i Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, z. Berat Rukiqi, përfaqësues tjerë të odave ekonomike dhe biznesore të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias.
Gjatë shpalosjes së analizës së KDI-së “Barrierat tregtare si masa mbrojtëse politike në marrëdhëniet Kosovë-Serbi”, Violeta Haxholli, autore e punimit, theksoi që raportet tregtare mes Kosovës dhe Serbisë që nga paslufta janë karakterizuar me aplikim të barrierave të dyanshme, kryesisht nga pala serbe. Duke sjellë në kujtesë një kronologji të barrierave dhe masave të ndërmarra nga Kosova ndaj produkteve serbe, Haxholli kërkoi nga spektri politik dhe vendimmarrësit që të mos e politizojnë çështjen e masave mbrojtëse tregtare ndaj Serbisë, e që gjithashtu e njëjta të mos trumbetohet përmes konferencave.
Ministrja Rozeta Hajdari, deklaroi që MINT ka evidentuar të gjitha barrierat që Serbia i aplikon ndaj produkteve të Kosovës, qofshin ato si produkte të destinuara për Serbi apo vetëm kalim transit, si dhe ka ndërmarrë disa masa mbrojtëse për produkte të caktuara që importohen nga Serbia. Ministrja Hajdari njoftoi se Kosova tashmë për herë të parë ka dërguar letër tek Sekretariati i CEFTA-s, për të kërkuar që Kosova të ketë subjektivitet të plotë për përfaqësim në këtë mekanizëm rajonal, duke paralajmëruar edhe mospjesëmarrje në vendimmarrje ku kërkohet konsensus, në rast të një përgjigje negative nga ana e CEFTA-s. Sa i përket masave të reciprocitetit tregtar ndaj Serbisë, ministrja potencoi që janë duke u bërë përgatitjet e nevojshme për ndërtimin e kapaciteteve institucionale që mundësojnë zbatimin e plotë dhe funksional të këtyre masave reciproke. Zef Dedaj, zyrtar nga kjo ministri, theksoi se Kosova është në përgatitje të aplikimit në Organizatën Botërore të Tregtisë, aplikim i cili ka gjasa të bëhet gjatë vitit 2022.
Ndërsa, Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, vlerësoi që pengesat e Serbisë në raport me produktet e Kosovës nuk janë të përqendruara në një aspekt, por që qasja e autoriteteve serbe është pengimi dhe ndalesa e të gjitha çështjeve që ndërlidhen me Kosovën. Po ashtu, ai theksoi që ende vijon të mbetet problematikë aplikimi i vulave të njësive paralele doganore të Serbisë, të cilat ende mbahen funksionale. 
Në anën tjetër, përfaqësuesit e odave ekonomike e biznesore ngritën shqetësimet dhe pikëpamjet e tyre lidhur me barrierat tregtare me të cilat aktualisht ballafaqohen prodhuesit kosovar. Berat Rukiqi, Kryetar i OEK-ut, fillimisht theksoi që shumica e pengesave tregtare të Serbisë ndaj produkteve të Kosovës nuk kanë të bëjnë me sfondin tregtar, por me katër grupe kryesore të sfidave, duke përfshirë: pengesat politike, pengesat administrative, barrierat me transitin si dhe konkurrencën jo-fer mes produkteve të të dyja vendeve. Rukiqi kërkoi që të gjitha çështjet në raport me Serbinë duhet fillimisht të trajtohen si kërkesa të tregut, para se atyre t’u bëhet trajtim politik, si dhe që të ketë vetëdijesim më të madh të qytetarëve të Kosovës për të mos konsumuar produkte serbe. Ndërsa, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, kërkoi nga ministria që të mbrojë sa më shumë prodhuesin vendor, duke zbatuar dispozitat ligjore për masa mbrojtëse dhe masa anti-dumping. 
Në anënt tjetër, anëtarët e Komisionit, fillimisht deklaruan se janë në favor të zbatimit të reciprocitetit dhe të përfaqësimit të Kosovës si shtet në mekanizma rajonal apo ndërkombëtar. Deputetët nga radhët e partive opozitare kërkuan rezultate të shpejta në këtë drejtim, si dhe që qeveria të mos merret me të kaluarën por të fokusohet në ndërmarrjen e masave konkrete. Ata u pajtuan për nevojën e diskutimeve të mëtutjeshme lidhur me një çështje kaq të ndjeshme.
Raportin e KDI-së mund ta gjeni këtu https://kdi-kosova.org/.../44-Barrierat-tregtare-ALB-06.pdf