19/04/2022
Në përvjetorin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, organizatat e shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia kanë diskutuar lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe rolin e shoqërisë civile në këtë proces.
Në këtë takim të përbashkët u theksua nevoja që si Kosova ashtu edhe Serbia të jenë më të përkushtuara në procesin e dialogut si e vetmja rrugë për të arritur normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të ndërsjella. Një faktor i rëndësishëm ishte nevoja që të dyja palët të përmbaheshin nga diskursi dhe veprimet që dëmtojnë procesin.
Çështja e arritjes së marrëveshjes për targat e veturave si një nga çështjet më aktuale, por edhe çështje të tjera për të cilat ende nuk ka marrëveshje mes palëve, ishin temat që u diskutuan në këtë takim.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile theksuan nevojën që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Gjithashtu, ndanë mendimin se dialogu duhet të shërbejë për përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe të zhvillohet mbi baza të transparencës dhe llogaridhënies.
Në fund, u theksua se edhe shoqëria civile duhet të jetë më proaktive në procesin e normalizimit, në mënyrë që të përmirësohet cilësia e procesit dhe të garantohet transparenca dhe llogaridhënia.