06/10/2022
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar analizën me titull “Elementet kyqe të nevojshme për progres në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë: një perspektivë nga Kosova dhe nga Serbia”, në tryezën e diskutimit të mbajtur në Beograd me pjesëmarrës përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia.
Njëri nga autorët e kësaj analize, Visar Xhambazi duke shpalosur këndvështrimin nga Kosova tha se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve duhet të përqendrohet fillimisht në drejtësinë tranzicionale, ballafaqimin me të kaluarën dhe ndërtimin e narratives së duhur të palëve ndaj njëra tjetrës. Ndërsa shtoi si elemente të nevojshme zbatimin e marrëveshjeve të dialogut nga të dyja palët duke përfshirë edhe zbatimin e aktgjykimeve të gjykatës kushtetuese nga ana e Kosovës.
Si element tjetër kyq për progres në normalizimin e marrëdhënieve, ai listoi nevojën që BE-ja ti ofrojë perspektivë të qartë evropiane Kosovës dhe Serbisë si incentivë për të lëvizur përpara me dialogun dhe përafrimin e palëve tek marrëveshja përfundimtare. Për më tepër, koordinimi BE-SHBA dhe i emisarëve special për dialogun mbetet i rëndësishëm për procesin e dialogut. Ndërsa, sipas tij këto të fundit duhet të ushtrojnë presion ndaj Serbisë për përafrim me politikat e BE-së dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, si shprehje e vullnetit pro evropian.
Në anën tjetër, autori nga Serbia Milos Pavkovic, theksoi që palët duhet të jenë të hapur ndaj dialogut, duke vendosur në rend të parë interesat e qytetarëve. Ai shtoi se palët duhet të zhvillojnë dialogun në mirëbesim, duke u përmbajtur nga gjuha që nxit tensione në terren dhe nga deklaratat populiste.
Përveç kësaj, Pavkovic theksoi se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet tashmë të arritura për të cilat duhet të ndërtohet një mekanizëm i monitorimit të zbatimit. Kurse, palët duhet të mbështesin njëra tjetrën në rrugën e tyre integruese dhe të synojnë në dialog arritjen e një kompromisi që qon drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe marrëveshjes përfundimtare.
Ndërsa, transparenca e procesit të dialogut u listua si një nga elementet thelbësore edhe nga të pranishmit në këtë diskutim, që i ka munguar deri më tani këtij procesi, e cila duhet të garantohet në bazë të normave demokratike.
Analizën e plotë në gjuhen shqipe dhe angleze mund ta gjeni këtu.
Kjo analizë dhe diskutim u realizua në kuadër të projektit “Shoqëritë civile në Kosovë dhe Serbi promovojnë një proces pajtimi pjesëmarrës dhe kuptimplotë”, i mbështetur nga Ministria e Jashtme Italiane dhe për Bashkëpunim Ndërkombëtar.