Data | Sektori | Çështja |
---|---|---|
20/09/2021 | Shëndetësi |
Të nderuar qytetarë,
Kryetar i Kuvendit,
Kolegë deputetë,
Kabinet i Qeverisë,
Zonja dhe zotërinj,
Meqenëse është seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, që në fillim dëshiroj t’ ju uroj të
gjithëve punë të mbarë në agjendën që e kemi para ve
Lexo më shumë
Të nderuar qytetarë, Kryetar i Kuvendit, Kolegë deputetë, Kabinet i Qeverisë, Zonja dhe zotërinj, Meqenëse është seanca e parë e sesionit vjeshtor të Kuvendit, që në fillim dëshiroj t’ ju uroj të gjithëve punë të mbarë në agjendën që e kemi para vetes si deputetë! Por, meqë është seanca e parë pas një periudhe pushimi, që ishte periudhë tragjike për jetën e qindra qytetarëve tanë në ballafaqim me pandeminë, për çfarë u shpreh ngushëllime të gjitha familjeve që humbën më të dashurit e tyre, nuk mund të lë pa thënë se për punë të mbara nuk mjaftojnë uratat, as fjalët dhe as dëshirat. Për punë të mbara kërkohet reflektim, angazhim dhe ballafaqim me përgjegjësitë që kemi gjithsecili prej nesh. Reflektim, angazhim e përgjegjësi, pikërisht këto cilësi që nuk i kemi parë t’i ushtrojë kjo Qeveri gjatë kësaj periudhe. Çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme një ballafaqim të tillë me rrethanat pandemike, në të cilat gjendemi sot, do të duhej ta kishte shtruar në një rrafsh social e kombëtar e kurrsesi politik, në një rrafsh të bashkëpunimit e jo të refuzimit, sepse pasojat tragjike dhe rrethanat e rënduara për qytetarët nga pandemia nuk janë çështje politike, janë çështje publike dhe emergjente. Pushteti mund t’i takojë dikujt në një kohë të caktuar, por publikja na takon të gjithëve në çdo kohë, prandaj edhe kemi përgjegjësi për të e rreth saj. Pikërisht për shkak të kësaj përgjegjësie ndaj gjendjes së rëndë që kishim gjatë dy muajve të fundit, unë iu drejtova me një letër kryeministrit Kurti për t’i ofruar bashkëpunimin tim dhe të Partisë Demokratike të Kosovës, madje duke ftuar dhe partitë e tjera opozitare që të ulemi së bashku e të gjejmë mundësi dhe alternativë për një përgjigje shumë më efikase ndaj rrethanave të rënduara. 6 Megjithëse isha në fillet e drejtimit të Partisë Demokratike të Kosovës, unë nuk doja të ndiqja shembullin që ka vendosur vetë zoti Kurti, duke krijuar ndasi politike për shkak të qëndrimeve partiake dhe për tema të rëndësisë nacionale, sepse një model të tillë e kemi parë dhe e kanë parë të gjithë qytetarët e Kosovës. Një model i tillë prodhon kriza, por nuk zgjidh kurrfarë krize. Prandaj, përballë kësaj nevoje emergjente, unë pashë në drejtim të Kosovës e jo në drejtim të partisë që drejtoj, sepse Kosova është emëruesi i përbashkët i të gjithë neve. Prandaj, kam besuar e besoj se përballë kësaj gjendjeje do të duhej të ishim një front i përbashkët përtej politik. Por, kryeministri Kurti refuzoi një angazhim të tillë të përbashkët, nuk kishte as vëmendje, as përgjigje, as iniciativë. Ndërsa, numri i vdekjeve rritej e bëhej treshifror çdo javë. Përballë këtij refuzimi e mosreflektimi në këto rrethana, gjërave dua t’u vëmë emrat e tyre përkatës. Ishte keqmenaxhimi i Qeverisë shkaku që prodhoi këto pasoja. Ishte keqadministrimi i Qeverisë shkaku që jemi ndër të fundit në Evropë në procesin e vaksinimit, ndërsa hedhim vaksina që u skadon afati pa i administruar. Ishte keqplanifikimi i kësaj Qeverie që ka lënë qindra profesionistë shëndetësorë të paangazhuar e të pambështetur në ditët më të ngarkuara të punës së tyre dhe pa asnjë dyshim, ishte leximi i gabuar i krejt rrethanave paralajmëruese rreth rrezikut të variantit DELTA, pikërisht në kohën kur kjo Qeveri e kishte lëshuar për tokë obligimin për ta menaxhuar rrezikun e përhapjes së këtij varianti, sepse Qeveria i hapi në verë dasmat dhe ahengjet për të na i mbyllur në vjeshtë shkollat dhe çerdhet. Pra, përgjegjësia për këtë gjendje i takon vetëm kësaj Qeverie. Por, edhe pse ne nuk do t’i mbyllim asnjëherë sytë përballë dështimeve që kanë shkaktuar këtë gjendje, nuk do të bëhemi kurrë oportunistë politikë kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve. Prandaj, unë besoj që edhe sot duhet një front i përbashkët për t’ua lehtësuar qytetarëve tanë ballafaqimin me pandeminë COVID-19, sepse ndonëse fatmirësisht ka filluar të bjerë numri i rasteve, nuk ka asnjë garanci që gjendja nuk mund të rëndohet përsëri më vonë. Dhe, kur jemi te qytetarët, ata më 17 tetor do të vendosin për qeveritë e tyre lokale. Është e domosdoshme që ata të kenë mundësi të zgjedhin e të përcaktohen mirëfilli për kandidatët, në të cilët besojnë se u përgjigjen nevojave të tyre. Është mirë që fushata t’u lihet kandidatëve, atyre që u takon përgjegjësia e llogaridhënia para qytetarëve të komunave të Republikës së Kosovës. Dhe, është më së mirë që temat e politikës qendrore t’u japin përparësi temave të politikës lokale në katër javët e ardhshme, ashtu që fokusi i këtyre zgjedhjeve vërtet të jenë qytetarët dhe interesat e tyre. Detyrat tona këtu në Kuvend, por sidomos në Qeveri, në radhë të parë duhet të jenë të fokusuara në parandalimin e mëtejmë të përhapjes së dëmit të pandemisë. Faleminderit! |
18/11/2021 | Qeverisje Lokale |
Të dashur qytetarë të Kosovës,
I nderuar kryetar i Kuvendit,
Kolegë deputetë,
Anëtarë të Qeverisë,
Zoti Latifi, urime për mandatin dhe të uroj punë të mbarë!
Me që është seanca e parë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, rendi e do që të ndajmë
pi
Lexo më shumë
Të dashur qytetarë të Kosovës, I nderuar kryetar i Kuvendit, Kolegë deputetë, Anëtarë të Qeverisë, Zoti Latifi, urime për mandatin dhe të uroj punë të mbarë! Me që është seanca e parë pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, rendi e do që të ndajmë pikëpamje mbi mësimet e nxjerra nga ky proces, ku në krye të gjithave konsideratat më të larta janë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim, për kulturën e lartë politike që kanë treguar. Përmes këtij niveli të dëshmuar, vlerave civile politike si dhe vetëdijes qytetare ndaj fuqisë së tyre, për të bërë ndryshime të duhura kur duhet të bëhen ndryshime, është e qartë se tranzicioni në këtë segment ka përfunduar dhe se falë tyre demokracia jonë tashmë bën pjesë në rangun e vendeve me traditë të konsoliduar demokratike. Në rrafshin përmbajtjesor ajo çfarë këto zgjedhje kanë nxjerrë në pah është njohja me profilin e ri të qytetarit të Kosovës. Profil që s’definohet nga mosha, po për nga gjykimi dhe vlerësimi politik, për nga maturia dhe vetëdija e tij e lartë për të qenë përcaktues i modelit të qeverisjes që i përgjigjet, për nga besimi i pakompromentuar i drejtës së tij për të vendosur sipas bindjes dhe vullnetit të lirë. Qytetar që s’shantazhohet, nuk keqpërdoret, nuk frikësohet, s’e pranon arrogancën, besimin e të cilit mund ta fitosh, por jo ta marrësh si të mirëqenë, nëse nuk ke për çka t’ia kërkosh besimin. Pra, një qytetar i mirinformuar që beson në program dhe di të vlerësojë programin, që të krijon mundësi, por di të vendosë barriera, që nuk i nënshtrohet qeverisjes, për që e kontrollon qeverisjen. Një qytetar sovran, një standard ky kaq i nevojshëm për të siguruar trajektoren e qëndrueshme të zhvillimit të demokracisë në vendin tonë. 10 Të nderuar kolegë, Ky standard megjithatë nuk flet vetëm për procesin e zgjedhjeve lokale të këtij viti, por para gjithash flet për qytetarin tonë, për mënyrën se si ai e sheh qeverisjen dhe dobinë e qeverisjes, për mënyrën se si ai sheh të ardhmen dhe çfarë të ardhme i duhet. Prandaj, ky është një standard që na imponohet të gjithëve, pavarësisht pozitave që mbajmë e roleve që i ushtrojmë, sot apo të ardhmen, dhe na imponohet si mision për të kuptuar drejtë dy gjëra themelore. Së pari, që pushteti në Kosovë nuk mund të ushtrohet pa qytetarët, larg qytetarëve dhe duke mos llogaritur në ta. Dhe, së dyti, se pushteti në Kosovë nuk mund të shtrohet mbi qytetarët. Janë ata që ushtrojnë pushtet mbi qeveritë, kushdo qofshin e kudo qofshin ato, si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivelin lokal. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë kemi fituar pushtet politik nëpër komuna, por fituesi vendimtar është qytetari. Prandaj, pa dashur të komentoj mënyrën se si e lexojmë rezultatin e këtyre zgjedhjeve, unë dua të ftoj kryeministrin e Kosovës që të bëjë leximin e duhur ndaj mesazhit të qytetarëve. Andaj, i nderuar kryeministër dhe ju pjesëtarë të mazhorancës, qytetarët në nivelin lokal kanë bërë zgjedhjet e tyre të ndryshme, por Qeveria qendrore duhet t’i mbështesë të gjitha komunat njëjtë, të barabartë dhe pa diskriminim. Ajo se ku kemi fituar e ku i kemi humbur zgjedhjet, nuk duhet të errësojë veprimin e drejtë dhe të duhur për t’i trajtuar dinjitetshëm të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Zgjedhjet lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët, prandaj politikat tona të kohezionit e konfrontimit, të bashkëpunimit e të kundërshtimit nuk duhen t’ju shërbejnë si instrument për të penguar zhvillimin e projekteve për të cilat janë përcaktuar qytetarët. Ftesa ime ndaj jush është e sinqertë, t’i përmbaheni asaj çfarë është përgjegjësi e juaja si qeveri dhe si kryeministër dhe këto përgjegjësi sot janë më të mëdha se zakonisht. Ne si opozitë jemi këtu të ndryshëm prej njëri-tjetrit, si për nga vlerat që përfaqësojnë, ashtu edhe për nga alternativat që i shtrojmë përballë qytetarëve, por Kosovën e kemi të përbashkët. Dhe, ne duam që Kosova të zhvillohet e të qëndrojë e konsoliduar mirë si brenda, ashtu edhe jashtë vendit. Ne jemi këtu për t’ju korrigjuar e për t’ju ballafaquar me përgjegjësitë që ju keni si pozitë, jo kundër njerëzve të kësaj qeverie si bashkëqytetarë tonë, po kundër modelit të qeverisjes, kur ajo devijon nga përgjegjësia për të cilën e kanë votuar qytetarët. Prandaj, kuptojeni këtë ftesë drejt, për t’u këndellur e për të mos u hutuar nga pushteti apo humbja e tij. Sepse, qytetari i Kosovës në këto zgjedhje ka folur shumë qartë dhe ka dhënë mesazh që ky ritëm juaj është i pamjaftueshëm. Për fund, u jam shumë mirënjohës të gjithë 11 qytetarëve të Kosovës pa dallime që në këto zgjedhje i kanë besuar projektit politik të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili ka qenë projekt për ta dhe ekskluzivisht në dobi të tyre. Të gjithë kryetarëve të zgjedhur nga vota e lirë u dëshiroj punë të mbarë, qeverisje kompetente të bazuar në ligj dhe në shërbim të gjithë qytetarëve pa dallim. Faleminderit! |