Data | Sektori | Çështja |
---|---|---|
17/06/2021 | Anti-Korrupsion |
Faleminderit, kryetar!
Të nderuar ministra,
Të nderuar kolegë deputetë,
Të nderuar qytetarë,
12
Këtë muaj po dëgjoni ca si shpesh “kapja e institucioneve” apo “pavarësia e cenuar”. Madje,
edhe sot në këtë Kuvend, nuk është surprizë kjo, siç thotë
Lexo më shumë
Faleminderit, kryetar! Të nderuar ministra, Të nderuar kolegë deputetë, Të nderuar qytetarë, 12 Këtë muaj po dëgjoni ca si shpesh “kapja e institucioneve” apo “pavarësia e cenuar”. Madje, edhe sot në këtë Kuvend, nuk është surprizë kjo, siç thotë populli: “Hajni bërtet kapeni hajnin”. Shtet i kapur sipas përkufizimit ndodh kur agjentët privatë, korporata ose jo, dirigjojnë vendimet e institucioneve drejt interesave private në dëm të publikes. Ligji për rimëkëmbjen, neni për tantiemën u bë sipas kërkesave të Sajmir Manës, të Ferronikelit, heqja e akcizës së duhanit u bë për Gazmend Abrashin, vendimi i mbetur në tentativë që blinte apartamente për zyre institucionesh për llogari të Dukagjinit, homologimi për interes të Eurolab Devolli, plani për blerjen e punëve milionëshe në KEK, sipas biznes planit të Zhugollit ose vendimet për projektet e teknologjisë informative për llogari të kompanisë PBC, njëjtë edhe terminalet private. Nuk ka rëndësi a duhen apo jo, ato thjesht projektohen, buxhetohen, tenderohen. Kur lakohet institucioni deri te ligji me direktivë të interesit partikular privat, kjo është kapja e shtetit, të nderuar qytetarë. Institucionet nuk i kapin partitë politike si të tilla, as institucionet tona nuk i patën kapur partitë politike dikur në pushtet, por grupet tashmë të kriminalizuara që paraprakisht i patën kapur këto parti prej se ishin në opozitë, e ende janë në ndikimin e tyre. Pavarësia e institucioneve buron nga ligji, ajo nuk është e pavarësi nga ligji. Varësia e institucioneve krijohet kur në mënyrë okulte, drejtuesit vendosin kundër ligjit, por nuk lejojnë institucionin të ushtrojë kompetencat apo të përmbushë misionin. KQZ kurrë nuk mbërriti ta përmirësojë vetveten, se ishte e varur nga paaftësia e kompromitimi i skajshëm e ish-kryetares, dhjetë vjet aty e kam parë nga afër. ZRRE e varur në dhënien e licencave 70% për Devollin, ato për minihidrocentralet nga Kelkosat e Matkosat, Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve i varur nga një formacion parapolitik që vetënënshkruhet nën emrat e ish-ministrave në çdo licencë gurthyesi a eksploatimi minerar. Autoriteti i Konkurrencës i varur ashtu që të mos vepronte aty ku preket interesi i kompanive që mbajnë kapur ish-drejtuesit e LDK-së, e ca që ende janë. Banka Qendrore e varur në binomin PDK-LDK me vendime për rritjen e tarifave të sigurimeve, dhënien a jo të licencave për bankat e reja e institucionet mikrofinanciare. Të nderuar qytetarë, u pati zhdukur vija ndarëse mes institucionit dhe grupimeve financiare të kriminalizuara, mes institucionit dhe personit që ushtron pushtet privat brenda tij. Andaj, kemi detyrën që ta ndërpresim, ta ndërrojmë këtë... Andaj, e kemi detyrë që ta ndërpresim dhe ta ndërrojmë këtë praktikë që gjeneratat që vijnë ta drejtojnë vendin të çliruar nga kapja dhe varësia dhe do ta bëjmë këtë pa asnjë dyshim. |
02/08/2021 | Punë të Jashtme |
I nderuar kryetar i Kuvendit,
I nderuar kryeministër,
Ministra,
Kolegë deputetë,
Të dashur qytetarë,
Mëngjesi i së mërkurës i 25 korrikut na zbardhi të tronditur nga lajmi për një aksident të rëndë të
autobusit me 67 mërgimtarë brenda që po vinin d
Lexo më shumë
I nderuar kryetar i Kuvendit, I nderuar kryeministër, Ministra, Kolegë deputetë, Të dashur qytetarë, Mëngjesi i së mërkurës i 25 korrikut na zbardhi të tronditur nga lajmi për një aksident të rëndë të autobusit me 67 mërgimtarë brenda që po vinin drejt atdheut. Do të ishte autostrada Sllovenski Brod e Kroacisë stacioni i fundit për 10 mërgimtarët, të cilët me entuziazëm e padurim ishin nisur drejt Kosovës një ditë më parë, ndërsa të lënduar do të mbetshin 45 të tjerë. Secili prej nesh atë ditë, nëpërmjet pikëllimit e dëshpërimit sillnin në përfytyrim dëshirën e madhe të tyre që pas një pune të lodhshme në dhe të huaj, e mallit përvëlues për më të dashurit, atë pushim që e kishin ta kalonin në Kosovë. Fatkeqësisht kjo dëshirë e tyre do të pritej dhunshëm të mërkurën e 25 korrikut. 10 E dashuria e madhe e këtyre 10 bashkatdhetarëve për vendlindjen është simbolika për secilin njeri që jeton e punon larg Kosovës. Është motiv i madh, mbase i vetmi, që këta njerëz kanë për t’i shtyrë ditët e rënda të punës e vetmisë larg vendlindjes. Janë njerëzit, të cilët zemrën, duart e forcën vetjake kanë dhënë përherë në dispozicion të atdheut në kohë të vështira e në kohë të mira. Si njerëz të thjeshtë, por veçmas si institucione, më shumë se asnjëherë më parë duhet t’u gjendemi familjarëve të mërgimtarëve që humbën jetën e të atyre që u lënduan. Dhimbja që ata ndjenë është shumë e madhe, prandaj e njëjtë duhet të jetë edhe mbështetja jonë. E jashtëzakonshme ishte ndihma dhe solidarizimi i shtetit kroat me familjet e viktimave dhe të lënduarit në këtë aksident si dhe me institucionet tona, çka na rritën mirënjohjen për ta edhe më shumë. Po ashtu edhe reagimi i shpejtë i Kabinetit qeveritar për t’u gjendur sa më parë pranë familjeve që humbën njerëzit e dashur e të lënduarve në spitale, duke ofruar mbështetje dhe kurajë, të cilën pa dyshim se e kemi detyrim. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë t’u qëndrojnë afër familjarëve të viktimave, ato kanë nevojë për kujdes shtetëror për ta tejkaluar këtë tragjedi që nuk është vetëm e tyre. Nga se fati i bashkatdhetarëve tanë në mërgatë nuk u përket vetëm familjarëve të tyre. Fati i tyre është breng e secilit qytetar të Republikës. |
30/06/2022 | Drejtësi |
Faleminderit, kryetar! E nderuar ministre, Të nderuar kolegë deputetë, Të dashur qytetarë, Në seancën plenare të Komisionit të Venecias, e cila u mbajt më 17 qershor, u miratua opinioni për koncept-dokumentin për Vetingun dhe draft-amendamentet kushtetue
Lexo më shumë
Faleminderit, kryetar! E nderuar ministre, Të nderuar kolegë deputetë, Të dashur qytetarë, Në seancën plenare të Komisionit të Venecias, e cila u mbajt më 17 qershor, u miratua opinioni për koncept-dokumentin për Vetingun dhe draft-amendamentet kushtetuese. Tashmë pas më shumë se një vit pune të pandërprerë të Ministrisë së Drejtësisë, përfundimisht kemi edhe opinionin, i cili konstaton dhe konfirmon ato çfarë janë theksuar në vazhdimësi, se nevoja për reformën në drejtësi është më se e domosdoshme. Përmes këtij opinioni Komisioni i Venecias ka dhënë dritën e gjelbër për të filluar dhe zhvilluar procesin e vetingut në Kosovë. Më lejoni që të ndajmë disa nga gjetjet dhe rekomandimet e opinionit të Venecias lidhur me procesin e vetingut. Në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e një sërë masash të kombinuara dhe ndryshimeve ligjore e kushtetuese, në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet, profesional dhe efikas. Venecia rekomandon fillimisht që përmes ndryshimeve kushtetuese të bëhet vetingu i niveleve të larta në gjyqësor dhe prokurori përmes mekanizmit të jashtëm. Nivelet e larta përfshijnë: Këshillin Gjyqësor, Këshillin Prokurorial, kryetarët e gjykatave, kryeprokurorët, e për të vazhduar më pas me vlerësimin e rregullt të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga këshillat tashmë të vetuar, por duke siguruar ndryshime legjislative që përmirësojnë sistemin aktual të disiplinës gjyqësore dhe që forcojnë njësitë respektive brenda këshillave. 3Në opinionin për vetingun konstatohet edhe nevoja e domosdoshme për të pasur reformë në drejtësi. Komisioni i Venecias thekson një numër të madh problemesh në sistemin e drejtësisë të njohura për secilin prej nesh, po megjithatë disa prej tyre po i përmend në vijim: Grumbullimi masiv i lëndëve të pazgjidhura, mungesa e besimit në sistemin e drejtësisë, ekzistimi i korrupsionit gjyqësor, stërzgjatja e gjykimeve, mungesa e efikasitetit të mekanizmave disiplinorë, nepotizmi në sistem dhe, së fundi, problemet me procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit e mungesa e cilësisë së vendimeve gjyqësore janë disa nga problemet sistematike të sistemit tonë të drejtësisë. Probleme të tilla janë konstatuar jo vetëm në gjetjet tona, gjetjet e raporteve kredibile, vendore dhe ndërkombëtare, po tashmë janë konfirmuar edhe nga konstatimet e Komisionit të Venecias, e të cilat vërtetojnë nevojën për reformë rrënjësore në drejtësi. Sipas Venecias, një reformim tërësor i sektorit të drejtësisë në Kosovë duket të jetë përgjigje për probleme të theksuara, duke përfunduar më tej se reforma e gjyqësorit në Republikën e Kosovës me të vërtetë është e nevojshme. Komisioni, në anën tjetër, gjithashtu mirëpret disa ndryshime pozitive që janë duke u ndërmarrë së fundmi në sistemin e drejtësisë përmes reformave, të cilat fuqizojnë transparencën dhe efikasitetin në gjykata dhe prokurori krahas procesit të vetingut. Të nderuar kolegë deputetë, Të nderuar qytetarë, Është thelbësore që në çështjet jetike për vendin tonë, siç është edhe drejtësia, duhet të jemi të gjithë së bashku për të arritur përmirësim të qëndrueshëm të sistemit të drejtësisë dhe eliminimin e problemeve ekzistuese të theksuara nga raporte të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare dhe, së fundmi, edhe nga opinioni i Komisionit të Venecias. Në çështje të tilla është e rëndësishme që secili nga ne, pozitë e opozitë, të japim kontributin maksimal për të siguruar një proces efikas dhe efektiv. Kthimi i besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë e garantimi i një sistemi të paanshëm dhe të pavarur, është obligim për secilin prej nesh. Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë domosdoshmëri për këtë vend. Andaj, edhe vetingu ka vetëm një synim: që të kemi një sistem të drejtësisë që përmbush vërtetë mandatin që ka me profesionalizëm, pavarësi e me efikasitet në të gjitha nivelet e për të gjitha rastet pa dallim. Në fund përveç Kuvendit, ftoj të gjitha institucionet relevante për një bashkëpunim të sinqertë profesional dhe me përkushtim, Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë, Këshillin Gjyqësor dhe 4Prokurorial, partitë politike, organizatat dhe shoqëritë civile, ekspertët e pavarur dhe partnerët ndërkombëtarë. Ka bashkëpunim i ngushtë do të na garantonte një veting e reformë të suksesshme që si rezultat do të kthente besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë e efikasitetin e paanshmërinë me të. Faleminderit! |
28/03/2022 | Drejtësi |
Faleminderit, kryetar! I nderuar ministër, Të nderuar kolegë deputetë, 3E diel, 28 mars 1999 Mëngjesi sapo kishte prekur vendin. Albioni, i cili atëbotë ishte dy vjeç, flinte i qetë, e Shpëtimi, 10 vjeç, sapo kishte filluar të kuptonte pak nga jeta. Asnj
Lexo më shumë
Faleminderit, kryetar! I nderuar ministër, Të nderuar kolegë deputetë, 3E diel, 28 mars 1999 Mëngjesi sapo kishte prekur vendin. Albioni, i cili atëbotë ishte dy vjeç, flinte i qetë, e Shpëtimi, 10 vjeç, sapo kishte filluar të kuptonte pak nga jeta. Asnjëri nga ta, as në makthet e tyre më të këqija nuk e kishte parë atë që u kishte rezervuar ai mëngjes. Ëndrrat e tyre do të këputeshin mizorisht, bashkë me ëndrrat e planet jetësore të 12 viktimave të tjera, anëtarë të familjeve Bogujevci e Duriqi nga Podujeva. Kjo ishte pranvera e vitit 1999, e fati i familjeve Bogujevci e Duriqi do të ishte fati i shumë familjeve të tjera nga fshatrat e anekënd Kosovës. Atëbotë, tmerri e ankthi i pritjes së sulmit të radhës nga makineria serbe kishin kapluar mendjet e njerëzve, të cilët, nëpër ditët e jetesës “sot për nesër”, nuk po gjenin shpjegimin për këtë agresion të pamëshirshëm e të shthurur që po ndodhte furishëm mbi popullsinë civile. Ato që po ndodhnin, historia i kishte parë e dënuar rëndom, si akte çnjerëzore e turp për njerëzimin. Dukej sheshit që Serbia po synonte gjenocid, e këtë po e jetësonte çdo ditë. Secili mëngjes fillonte me lajmet për masakra e përndjekje. U kryen rreth 400 masakra në gjithë vendin, u vranë fëmijë, dhunuar gra e dëbuar mbi 1 milion njerëz, të cilët faj të vetëm kishin përkatësinë e tyre kombëtare. Veç dy ditë pas fillimit të sulmeve të NATO-s, fshati Krushë do të shënonte datën më ogurzezë në historinë tij. Pikërisht më 26 mars, në këtë fshat do të vriteshin 241 banorë, gra, burra e fëmijë. Krusha mbetet plaga e hapur në shpirtin e mendjen e secilit prej nesh. Pranvera e atij viti po vazhdonte zymtë në Kosovë. Fshati Izbicë do të tronditej fort natën e 27 marsit, nga masakra ndaj 150 banorëve të këtij fshati, derisa ende po përkujtonim masakrën e para dy ditëve në fshatin Bellacërkë, ku u vranë 60 veta, 52 burra e 8 gra, 10 nga ta nën moshën 16 vjeç, më i vogli ishte 6 vjeç. E fëmijë të kësaj moshe kishte edhe në masakrën e 26 marsit në Suharekë ndaj familjes Berisha, e kudo tjetër në Kosovën e atëhershme. Pra, makineria serbe e politika shtetërore e Slobodan Milosheviqit i kishte menduar me ligësi të gjitha. Ajo po përdoret të gjitha mjetet për të goditur deri në shfarosje. Këndejmi numri i familjeve që do të zhdukeshin vriteshin e masakroheshin, do të vazhdonte të rritej me masakrat e prillit si ato në Mejë, Korenicë, Rezallë, Rugovë e Hasit, Studime, Sllovi, Ribar e Hallaq e shumë të tjera anekënd Kosovës. 4Si bashkatdhetarë të tyre më shumë se në përvjetorët që karakterizojnë secilën pranverë, duhet t’i kujtojmë me mirënjohjen e përkuljen më të thellë për atë që ishin në gjallje dhe atë se çfarë simbolizon sakrifica e tyre për lirinë tonë. E kemi për detyrim që ta ruajmë e ta kultivojmë me dashuri e respekt kujtimin për këta martirë, të cilëve ua u kemi borxh lirinë e vitet që po jetojmë e për drejtësinë ende të pavënë në vend. Sot, 28 mars 2022, tash 23 vjet, ndodhemi para një Serbie arrogante, e cila asnjëherë nuk kërkoi falje, nuk u distancua nga krimet gjenocidiale, përderisa pjesëtarët e njësitit famëkeq “Skorpionët” mbase po shijojnë vitet e mbetura diku në qytetet e Serbisë, pa u përballur me dënimin që meritojnë. Ndërsa krimineli Miodrag Salaja qe vrau 14 anëtarët e familjes Bogujevci e Duriqi, shteti i Serbisë i dha lirim te parakohshëm, pasi që kishte mbajtur vetëm tetë muaj dënim për çdo viktimë të vrarë! Albion Duriqi sot do të ishte 23 vjeç, mbase student apo sportist. Të tillë do të ishin edhe mbi 1400 fëmijë të tjerë të vrarë, ata do t’i gëzoheshin jetës e së ardhmes, por ishte një makineri e tërë shtetërore që konsideronte pengesë ekzistencën e kësaj të ardhme. Të dashur qytetarë, Të nderuar kolegë deputetë, Si institucione, e para së gjithash si qytetarë, të cilët në mënyra të ndryshme jemi prekur nga lufta, e kemi për detyrë e obligim që të mos ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi për njerëzit tanë. Nga themelimi i Institutit për Krimet e Luftës, gjykimi në mungesë, e deri te monumentimi i sakrificës së tyre, janë detyrim për secilin prej nesh. Faleminderit! |