Data | Sektori | Çështja |
---|---|---|
20/05/2021 | Drejtësi |
I nderuar kryetar Konjufca,
I nderuar Kabinet qeveritar,
Deputete e deputetë,
Media,
Të dashura qytetare e qytetarë,
“Ndoshta frika më e madhe e burrave është vdekja, por e grave është përdhunimi”, ky është citat
i ftohtë i një të mbijetuare të dhu
Lexo më shumë
I nderuar kryetar Konjufca, I nderuar Kabinet qeveritar, Deputete e deputetë, Media, Të dashura qytetare e qytetarë, “Ndoshta frika më e madhe e burrave është vdekja, por e grave është përdhunimi”, ky është citat i ftohtë i një të mbijetuare të dhunës seksuale. Dy ditë më parë një person është vrarë në Pejë dhe origjina e problemit është dhuna seksuale. I ndjeri e kishte denoncuar arsimtarin e të bijës së tij për dhunim seksual. 4 Arsimtarin e dënoi gjykata për sulm seksual, por edhe një herë institucioneve tona u ndodhi gati para syve një vrasje e paralajmëruar. Dhuna ndaj grave, e sidomos dhuna seksuale trajtohet si çështje e rëndësisë së tretë nga shoqëria dhe, fatkeqësisht edhe nga segmentet kompetente të drejtësisë dhe jo si një vepër penale dhe e mundshme që të parandalohet. Në këtë Kuvend nuk po flitet për herë të parë për dhunën seksuale dhe abuzimet ndaj vajzave të mitura, sepse kjo nuk është ‘dita zero’ për abuzimin. Deri tash nuk kanë kryer punë rezolutat, nuk kanë qenë efektive institucionet, nuk kanë pasur fuqi fjalët e deklaratat. Viktimë në rastin e Pejës nuk është vetëm i ndjeri, por viktimë e dyfishtë është edhe vajza e tij, që i është ekspozuar sulmit seksual dhe humbjes së babait që mund ta përjetojë si faj të sajin. Do të ngushëlloheshim shumë sikur këto të ishin raste të rralla. Kurse dje në Prishtinë është protestuar për rastin e vogëlushes 6-vjeçare, sulmi ndaj së cilës e tronditi Kosovën. Kur një sulmohet në shkollë, një në afërsi të shkollës, një tjetër nga vetë polici, ku mund të themi se gratë janë të sigurta? Askund, nuk ka një vend të imunizuar nga abuzimet. Vajzat e gratë në Kosovë nuk ndihen askund të sigurta dhe frika e tyre është reale. Veç një muaj më herët një zyrtar policor ishte arrestuar në Gjilan për abuzim për gjashtë muaj rresht ndaj të miturës 16-vjeçare. Nesër i përfundon masa e paraburgimit këtij zyrtari policor të arrestuar. Nesër do të duhet t'i hapej rrugë një dënimi të rëndë sipas ligjeve në fuqi dhe t'i ofrohej mbështetje emocionale e psikike viktimës. Vetëm sot kemi dy viktima të reja, në Mitrovicë dhe në Fushë-Kosovë, dhe rrethanat tregojnë se vëmendja institucionale duhet të jetë shumë më e lart për këtë çështje. Nëse për një kohë kaq të shkurtër kuptojmë për pesë raste, sa mund të jenë rastet që kurrë nuk bëhen publike? Kur ka kaq shumë raste të njohura, jemi duke folur për kulturë të dhunës seksuale dhe kjo është zilja e fundit për ta trajtuar seriozisht këtë punë. Shumica e dhunës është anonime dhe kjo nuk është vetëm për mungesë guximi. Vajzat në mëngjes i lexojnë reklamat e sponsoruara “raportoje dhunën” dhe në mesditë lexojnë lajme se polici abuzon. Kjo dhunë është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, është shkelje e dinjitetit, por parandalimi është i mundshëm. Duhet të jetë e qartë dhe pa asnjë dilemë që turpi i dhunës nuk bie mbi viktimën, por mbi dhunuesin, abuzuesin. Mbi këtë duhet të rriten e të edukohen sidomos djemtë. Prindërit nuk duhet të tmerrohen se mund t’u abuzohet vajza, por që djali i tyre mund të abuzojë e mund të ngacmojë. 5 Sipas një raporti të Rrjetit të Grave të Kosovës, rreth 68 për qind të grave llogaritet se kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës përgjatë jetës. Pra, më shumë se gjysma e të gjitha grave. Kjo shifër na tregon pse duhet të flasim gjithkund e përditë për këtë temë. Unë dua t'u drejtohem Policisë së Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, gjykatësve e prokurorëve indiferentë: Zotërinj, gratë po vriten e përdhunohen. Nuk ka gjumë të rehatshëm me këtë gjendje. Shpërfillja është bashkëfajësi. Ky vend u përket grave. Kosova është e grave. Kosova është e grave dhe e burrave. Andaj pse të dridhet zëri i grave për të denoncuar krimet, në vend se të dridhen kriminelët e abuzuesit? |